
Sali Berisha doli në mbrojtje të protestës së pedagogëve, duke akuzuar kryeministrin se po përdor kundër tyre një sulm tipik enverist, që sipas kryedemokratit synon të shkatërrojë elitat intelektuale.
“Tani vërsulet ndaj kërkesave më minimale të pedagogëve, punonjësve dhe studentëve, absolutisht sikur ta kishte nxjerrë Enver Hoxha nga hunda. Apo sikur ky universitet ta kishte emrin “Spiro Koleka”, jo atij të luftës së Vlorës”.
Në mbledhjen e grupit të tij parlamentar Berisha i quajti të drejta kërkesat e pedagogëve, por nënvizoi se PD nuk është organizatore e protestës së tyre.
“Ajo është lëvizje sindikaliste dhe ne mbështesim çdo kauzë të drejtë. Po të ishte lëvizja jonë, themi krenarisht është kauza jonë sepse nuk kemi asnjë kompleks për të shpallur lëvizje për kauza të drejta. Por ajo është lëvizje e sindikatave. Ndaj u them socialistëve që ne mbështesim kauzën tuaj, se ajo është kauzë e drejtë”.
Përveç arsimit, me shqetësim sheh edhe gjendjen e sistemit shëndetësor. Heshtja e bluzave të bardha, sipas tij, i bën bashkëpërgjegjës.
“U bëj thirrje bluzave të bardha. Ky po e shkatërron sistemin e shëndetësisë. Kane përgjegjësi për këtë situatë qe po përjetohet. Kane përgjegjësi të madhe. Duhet të ngrihen fuqishëm”.
Primaret dhe protestat do të jenë fokusi kryesor i PD, pohoi Berisha, që njoftoi vijimin e takimeve me strukturat në të gjithë vendin. (A2 Televizion)