Protesta e punonjësve në Bilisht, ministrja e Financave premton kontrata të reja

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2022, 14:12 | Sociale
Protesta e punonjësve në Bilisht, ministrja e Financave premton

Protesta e disa dhjetëra punonjësve të një fasonerie në Bilisht të Korçës, ka detyruar ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, që të shkojë vetë pranë subjektit e të verifikojë ankesat e punonjësve, si dhe kushtet reale dhe kontratat me të cilat paguhen punonjësit.

Por, fakti tregon që është dashur kjo protestë që të vihen në lëvizje si Inspektorati i Punës, ashtu edhe Drejtoria Rajonale e Tatimeve për të verifikuar mënyrën se si paguhen dhe trajtohen këta punonjës.

Dhe mangësitë nuk kanë munguar. Ibrahimaj u shpreh: “Kemi konstatuar se punonjësit paguhen me pagë minimale, por për 22 ditë pune, ndërkohë që deklarojnë se punojnë 28 ditë pune. Në mosrespektim të Kodit të Punës, ditët e shtuna dhe të diela nuk paguhen me 25% më shumë sesa ditët normale të punës”.

Përballë kësaj situate që mbizotëron edhe në shumë subjekte të tjera fasone në vend, ministrja e Financave ka premtuar që do të merren të gjitha masat në respekt të ligjit, ndërsa premtoi që në Bilisht do të qëndrojë vetë, derisa të nënshkruhen kontratat e reja me të gjithë punonjësit.

Kontrollet e ushtruara në biznesin privat gjatë muajit maj, me qëllim deklarimin e saktë të pagave ka bërë që 25% e subjekteve të regjistruara të rrisin rrogat për punonjësit e tyre dhe ky verifikim i institucioneve do të vijojë edhe në muajt në vazhdim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos