
Ka nisur protesta e opozitës përpara ambienteve të Parlamentit në këtë të enjte kur në Kuvend po mbahen punimet e përjavshme.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur ndër të tjera se iniciativa që ata kanë ndërmarrë është një betejë për mbrojtjen e Kushtetutës.
Sipas, kryedemokratit, shumica socialiste nuk po lejon ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen McGonigal pasi “aty do të dalin në dritë aferat e tyre.”
“Kjo është një betejë për mbrojtjen e Kushtetutës. Kjo Kushtetutë në nenin e saj 70 garanton deputetët me mbledhjen e firmave, 28 firmave. Krijimin automatik të komisionit hetimor që këta 28 burra e gra gjykojnë se duhet të hetojnë. Na mohojnë të drejtën kushtetuese për komisionet se aty do të dalin lakuriq siç janë në aferat e tyre.”
Berisha akuzoi po ashtu qeverinë Rama se “është një bandë që strehon vrasës”. Sipas tij, vrasësit e shtetases keniane në Shqipëri fshihen në qeveri.
“Shikoje pak atë kriminelin Taulant Balla. E kam denoncuar shumë herë dhe e denoncoj sërish si trafikant femrash...Prandaj ata fshehin Xhoin. Ka nxjerrë viza për prostituta moldave për t’i sjellë në Shqipëri. Fatos Nano, në vend që ta çonte në prokurori, e bëri këshillues. Ai është denoncuar nga delinkuentë se ka porositur vrasje. Ky është eksponenti parlamentar kryesor i mazhorancës."
Sërish duke iu drejtuar kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Berisha e paralajmëroi Ballën se ai dhe kryeministri Edi Rama do të jenë përgjegjës për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare.
“Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata me datë 3, unë i them meqenëse ti je i pari që njoftove vendimin, të betohem para këtyre burrave, se ti dhe Edi Rama do bëheni përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD-së dhe opozitës shqiptare.” (A2 Televizion)