
Votat e PDIU i kishin marrë socialistët por mandatin e këshilltarit e humbi koalicioni bashkë fitojmë. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të hapte kutinë e një qendre votime në Mallakastër për shkak se PDIU kishte konstatuar që votat e saj për këshilltar bashkiak nuk ishin reflektuar në tabelën e rezultateve.
Pas rinumërimit të votave rezultoi se 63 fletë votimi që kishin të sigluar logon e PDIU ishin llogaritur në favor të Partisë Socialiste çka bëri që rezultati të ndryshonte dhe Shpëtim Idrizi të merrte mandatin e dytë të këshilltarit në Mallakastër.
Por këto 63 fletë votimi nuk penalizuan socialistët por koalicionin bashkë fitojmë. Rezultati i ngushtë ndërmjet koalicioni dhe PDIU bëri që partia e Shpëtim Idrizit të kalonte pragun për këshilltarin e dytë duke ia hequr Sali Berishës.
Në tryezën e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve ishte edhe kërkesa e BF-së e cila kërkonte rivlerësim të fletëve të votimit për Bashkinë Belsh, zonë zgjedhore ku fituesi u nda me 40 vota. Për këtë kërkesë KAS vendosi të shtyjë shqyrtimin për javën tjetër duke i lënë më shumë kohë palës ankuese në mbledhjen e provave. (A2 Televizion)