
Partia Socialiste nuk do të pranojë ato kërkesa të Partisë Demokratike që i quan politike për Reformën Zgjedhore.
Në një intervistë për A2, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se nuk do te ketë qeveri kujdestare 100 ditore, pasi mandati i popullit nuk negociohet. “Hallin e vjetër, ua ritheksojmë që nuk ua zgjidhim dot. Në qeverisje vihet vetëm përmes votës dhe shumicës në Parlament. Qeveri jashtë votës dhe vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë. As nuk merret në konsideratë”, tha Balla. “Nuk do të ketë më kurrë marrëveshje të cilat ndajnë pushtet”.
Këtë të enjte, kreu i PD, Basha, tha që nëse nuk i hapet rrugë kërkesave të PD për Reformën Zgjedhore, atëherë Rama do të duhet të largohet me forcë. “Përgjigja ime është shumë e thjeshtë, zoti Basha duhet t’i përdorë këto 14 muaj deri në zgjedhjet e ardhshme si një mundësi të mirë për të ringjallur Partinë Demokratike”, tha kreu i grupit parlamentar socialist. (A2 Televizion)