
Fatmir Xhafaj ndërhyri sot në Parlament për çështjen e amendimit të ligjit për reformën në drejtësi që ka të bëj me funksionet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
Xhafaj, edhe pse mbështeti në parim iniciativën, që është diçka që sipas tij zgjidh “ngërçin e mos prezencës së ILD në strukturën e institucioneve të reformës në drejtësi” dhe i jep ILD një instrument “më të qartë dhe më efektiv”, theksoi gjithsesi faktin që “duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi druaj që shpeshherë, problematikat që mund të kemi në zbatim kërkojmë t’i kapërcejmë me zgjidhjen më të lehtë, amendimin e ligjit”.
“E shoh shumë pozitive faktin që na u tha në komision se së bashku me misionet partnere është bërë një analizë e thelluar për të kuptuar çfarë është pjesë e gabimeve tona dhe çfarë është pjesë e nevojave që ka për t’u mbështetur me ndryshime në ligjet përkatëse”, shtoi Xhafaj.
Duke vlerësuar KLGJ dhe KLP, që sipas tij janë bërë një punë të lavdërueshme, ish-ministri i brendshëm mendon se këto dy institucione ende nuk kanë gjetur “rolin dhe përgjegjësinë e tyre”, dhe se në disa aspekte janë “jo eficente”, dhe se disa nga komponentët e tyre “nuk kanë një kuptim të drejtë mbi rolin e tyre në këto struktura, frymën e re që do duhej të përçonin”.
Xhafaj kujton në fund se rreth 130 prokurorë dhe gjyqtare janë larguar, edhe me akuza të rënda. Por vendimi i largimit për të nuk mjafton.
"Një nga çështjet që duhet trajtuar shumë seriozisht është pikërisht fakti që këta persona do duhet të hetohen për pasuritë e tyre dhe për vendimmarrjet korruptive”, deklaroi ai. (A2 Televizion)