
Në prill bëhen 111 vjet që kur Titaniku u nis nga porti anglez i Southampton me destinacion Nju Jorkun. Ishte udhëtimi i parë i një “bishe” hekuri, një pasqyrim i inxhinierisë më të mirë industriale. Një ëndërr e cunguar që megjithatë nuk bëri gjë tjetër veçse ripohoi përpjekjen njerëzore për të afruar pikat më të largëta të planetit me forma të reja transporti dhe komunikimi.
Që nga fundosja fatale e vitit 1912, janë shkruar libra dhe janë bërë disa filma. Më i famshmi është pa dyshim ai i James Cameron, i cili fitoi 11 çmime Oscar.
Ndërsa tani, publiku do të mësojë pak më shumë për mbetjet e anijes dhe kjo falë imazheve të publikuara nga Instituti Oqeanografik Woods Hole, i cili në vitin 1986 komandoi ekspeditën ambicioze që mori pamjet. Woods Hole është një institucion i rëndësishëm i studimeve detare që ka bazën e tij të operacioneve në shtetin e Massachusetts, në verilindje të Shteteve të Bashkuara.
Kohëzgjatja totale e xhirimeve është rreth 80 minuta dhe organizata ka postuar videon e plotë në kanalin e saj në YouTube. Dokumentari titullohet “Alvin viziton rrënojat e Titanikut”.
Alvin është emri i nëndetëses së vogël (me një kapacitet për tre anëtarë të ekuipazhit) që zbriti në varrin e anijes 37 vjet më parë. Operacioni ishte mjaft i madh, pasi u krye në një thellësi prej 3780 metrash.
Tronditja për fatin e një prej anijeve më të famshme të të gjitha kohërave duket se mbetet e njëjtë, pavarësisht viteve që kalojnë. Një kujtim i brishtësisë së jetës dhe e forcës së oqeaneve. (A2 Televizion)