
Shqipëria e ka mbyllur vitin 2019 në vendin e 66-të të renditjes së FIFA-s. Kuqezinjtë nuk ndryshuan asnjë pozicion krahasuar me një muaj më parë, ndërsa ky edicion ka qenë në rënie.
Gjithçka prej ecurisë jo të mirë në kualifikueset e Europianit 2020, duke bërë që Kombëtarja të humbasë 6 pozicione krahasuar me një vit më parë.
Kosova mbetet në vendin e 115-të në renditjen botërore dhe vazhdon ngritjen graduale. Krahasuar me vitin 2018, Dardanët kanë fituar 16 pozicione. Për sa i takon kreut, Belgjika konfirmohet për të dytin vit me radhë si skuadra e vitit.
“Djajtë e Kuq” mbeten në krye, të ndjekur nga Franca, Brazili e Anglia. Vendet e para plotësohen nga Uruguaji, Kroacia, Portugalia, Spanja, Argjentina dhe Kolumbia. Vetëm e 13-ta është Italia, e ndjekur nga Holanda e Gjermania, të cilat mbeten jashtë “Top 10”. (A2 Televizion)