Puna e ILD-së, vetëm një zyrë dhe një inspektor për të mbikëqyrur drejtësinë

Nga A2 CNN
4 Maj 2020, 16:28 | Aktualitet
Puna e ILD-së, vetëm një zyrë dhe një inspektor

Që prej 1 shkurtit, kjo është zyra e Artur Metanit, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kjo është dhe zyra e vetme e institucionit kupolë të drejtësisë shqiptare, që në organikë duhet të ketë rreth 100 punonjës.

“Është një zyrë që shërben edhe për titullarin, edhe për protokollin, edhe për arkivin (pra të gjitha ankesat që vijnë arkivohen këtu), edhe për ata punonjës që kanë filluar punë sipas orareve të caktuara…është një zyrë që është për të gjithë. Dhe sigurisht që institucioni nuk mund të funksionojë në këtë formë”, thotë Metani.

Që në nisje të punës, në adresë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë erdhën me qindra letra ankese qytetarësh për gjyqtarë e prokurorë. Pritshmëritë dhe nevoja për një drejtësi të re nuk u frenua as nga pandemia: “Ankohen përgjithësisht për çeshtje që kanë të bëjnë me pronat, çeshtje civile, por ka edhe nga ato penale. Ka shumë të burgosur apo të paraburgosur që ankohen për çeshtje afatesh.
Janë edhe ankesat që kanë ardhur të arkivuara nga KLGJ, Prokuroria e Përgjithshme, KLP. Në total duhet të jenë rreth 1600 kërkesa".

Por, pavarësisht pritshmërive, të gjitha këto dosje duhet të verifikohen vetëm nga 2 persona: “Sot në punë ka vetëm një inspektor përveç meje si Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Pra, të gjithë punën e përballojnë këta 2 inspektorë. Inspektori i lartë përvec punës së inspektimit ka punë dhe për ngritjen e institucionit nga çdo pikëpamje”.

Në këtë intervistë për A2, e para për një media që nga marrja e detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë sqaron se nuk mund të ndryshojë në vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve: “Nëse shikohet se ka vend për të filluar një hetim, atëherë ligjërisht fillojmë një proçes hetimi për magjistratin. Ky proçes zgjat nga 6 deri në 9 muaj dhe në përfundim të tij ILD merr vendim për të arkivuar cështjen ose t’i kalojë KLGJ e KLP".

Gjysma e inspektorëve të ILD-së sipas ligjit duhet të jenë jurist, jo magjistratë, gjysma tjetër përzgjidhet nga KLP-ja e KLGJ-ja. Por, mesa duket, frika për të përshpejtuar përballjen me vetting-un ka stepur gjyqtarët të aplikojnë: "Sipas informacionit tim nuk ka pasur kandidatura. Ndaj i bëj thirrje gjyqtarëve të konkurojnë për inspektor pranë ILD".

ILD-ja po mbyll disa prej hetimeve që ka nisur për gjyqtarë e prokurorë të caktuar. Por, tematika kryesore e inspektimeve të inspektorit lidhet me lirimet e parakohshme me kusht, çka ka shtuar dosjet në këtë tavolinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos