Punësimet, vijë e kuqe. Rama i lë dorë të lirë Doshit, sjell Stërkajn në Tiranë

Nga A2 CNN
15 Tetor 2021, 13:58 | Politikë
Punësimet, vijë e kuqe. Rama i lë dorë të lirë

Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste është në proces reflektimi lidhur me bashkëqeverisjen, ndërsa në mbledhjen e Kryesisë së PS-së është vendosur hapja e partisë ndaj prurjeve të reja. Rama u foli deputetëve për punësimin në administratë, ndërsa në mbledhje u caktuan dhe të deleguarit e Partisë në njësitë e Tiranës. 

“Duhet të ndryshosh, të nxjerrësh origjinalin brenda vetes, nëse e ke një origjinal, atëherë po mund të flasim për bashkëqeverisje”, i tha Rama Bashës një ditë më parë në Kuvend.

I pyetur pas mbledhjes së kryesisë se sa seriozisht e ka bashkëqeverisjen, Rama u shpreh se në qeveri nuk e kanë sjellë vetëm votat e anëtarësisë.

"PS-ja është në proces reflektimi. Jemi sot përsëri në qeveri si forcë e vetme, por nuk do ta harrojmë për asnjë moment se në qeveri ne nuk na kanë sjellë votat e anëtarësisë sonë, por një shumicë dërrmuese shqiptarësh dhe ne do t’u japim shansin të përfshihen në familjen tonë politike, duke thyer barrierat dhe t’u japim mundësi shqiptarërve të ndjehen mirë për sa u takon, jo se ne nuk bëjmë gabime, por bëjmë gjithmonë më të mirën tonë”.

Por, kur bëhet fjalë për shkëmbimin e reformës në drejtësi me atë territitoriale, Rama i kujtoi Bashës, se përpara reformës në drejtësi ka ndërkombëtarët dhe jo atë.

“Reforma në Drejtësi s’është për t’u negociuar, por për t’u kryer. Është shumë e qartë, të gjithë e shohin që kthim mbrapa nuk ka dhe kush i bie ndesh Reformës në Drejtësi i bie ndesh të ardhmes së vendit. Reforma në Drejtësi nuk është kërkesë partiake, por historike, kombëtare, për të gjithë fëmijët e këtij vendi, ndërsa të tjerat, janë çështje që do të diskutohen. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë me PD-në”.

Deputetëve në mbledhje, Rama u bëri të qartë se duhet të heqin dorë nga punësimet në administratë.

“Punësimet dhe drejtoritë jo pronë e PS-së. Deputetët nuk janë as punëdhënës, as zyra pune. Kjo do të jetë një vijë e kuqe. Janë procese që i takojnë zyrave të shtetit, jo deputetëve”.

Paulin Sterkaj, që ditë më parë ngriti shqetësimin për emërimet e bëra në Shkodër nga Tom Doshi, në mbledhjen e kryesisë është deleguar në drejtimin e njësisë nr.11 në Tiranë, duke i lënë dorë të lirë Tom Doshit në kryeqendrën e veriut.

Ndër vendimet e tjera që kryesia mori, ishte dhe caktimi i përkohshëm në krye të Partisë Socialiste të Tiranës, i Erion Veliajt, i cili zëvendëson në këtë detyrë Ervin Bushatin.

Lindita Nikolla është deleguar për zonën e Kamzës dhe Paskuqanit, ndërsa Delina Ibrahimi ka zënë vendin e Pandeli Majkos në njësinë Nr.5 në Tiranë. Mimi Kodheli është deleguar në njësinë Nr.8, ndërsa Blerina Gjylameti në njësinë numër 4. Ministrja Frida Krifca është deleguar në zonën Farkë-Baldushk-Petrelë, ndërsa pa detyra nuk ka mbetur Ornaldo Rakipi, i cili delegohet për Bashkinë e Vorës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos