
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia është e gatshme të ndërmarrë masa ushtarako-teknike në rast se NATO i afrohet kufijve të vendit. Lajmi raportohet nga agjencia ruse e lajmeve Tas, cituar nga mediat ndërkombëtare.
“Në rast të vazhdimit të një linje qartësisht agresive nga kolegët perëndimorë, ne do të marrim masat e duhura ushtarako-teknike dhe do të reagojmë ashpër ndaj hapave armiqësorë”, tha Putin në një takim të zgjeruar të kolegjit të ministrisë ruse të mbrojtjes.
Presidenti rus, Vladimir Putin, fajësoi të martën Perëndimin për përshkallëzimin e tensioneve në Evropë, duke thënë se ai kishte vlerësuar gabimisht rezultatin e Luftës së Ftohtë.
“Ajo që po ndodh tani, ai tension që po ndodh në Evropë është faji i tyre”, tha presidenti.
Perëndimi për javë të tëra ka ngritur alarmin për ngritjen ushtarake ruse pranë Ukrainës dhe frikën e një pushtimi rus të aleatit të saj, ndërsa Moska akuzon NATO-n e udhëhequr nga SHBA-ja se kërcënon sigurinë e saj duke zgjeruar praninë e saj pranë kufijve rusë. (A2 Televizion)