Putin në Bjellorusi, Moska sulmon me dronë infrastrukturën në Kiev

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2022, 12:10 | Bota
Putin në Bjellorusi, Moska sulmon me dronë infrastrukturën

Vizita e presidentit rus, Vladimir Putin, në Bjellorusi këtë të hënë, nxit frikën e ukrainasve se qëllimi i tij është t’i bëjë presion aleatit Lukashenko t’i bashkohet një ofensive të re. Minsku ka lejuar që territori i tij të përdoret si trampolinë për nisjen e luftës ruse më 24 shkurt, po nuk i është bashkuar luftimeve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Vetë Kremlini e ka përshkruar si vizitë pune, ndalesën e parë të Putinit në më shumë se 3 vite e gjysmë në Bjellorusi.

“Mbrojtja e kufirit me Rusinë, ashtu si dhe Bjellorusinë është një prioritet konstant. Ne po përgatitemi për të gjithë skenarët e mundshëm të mbrojtjes, pavarësisht përpjekjeve të dikujt për të detyruar Minskun të përfshihet. Kjo gjithsesi nuk do ti ndihmonte rusët, jo më shumë se të gjitha idetë e tjera të sëmura të provuara në këtë luftë kundër Ukrainës”, tha Zelensky.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax, që citoi Ministrinë e Mbrojtjes në Moskë, tha se trupat ruse të cilat u tërhoqën në Bjellorusi në muajin tetor do të zhvillojnë stërvitje taktike.

Vizita e Putinit në Bjellorusi, zhvillohet ndërsa sulme ajrore goditën sërish infrastrukturën brenda dhe rreth Kievit. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në orët e para të së hënës, ndërsa autoritetet thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin shkatërruar 30 nga 35 dronët iranianë, të lëshuar në drejtim të kryeqytetit. Si pasojë e sulmeve disa godina banimi në rajonin e Kievit mbetën të dëmtuara.

Zelensky përsëriti sërish thirrjen ndaj perëndimit për të siguruar qiejt e Ukrainës, pas javësh mësymje ajrore ndaj rrjetit elektrik, duke lënë në të ftohtë dhe errësirë qytetarët.

Megjithatë, kryebashkiaku i kryeqytetit, bëri të ditur se elektriciteti ishte rikthyer në 2/3 e banesave në Kiev.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos