Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka reaguar në një konferencë për shtyp për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në të gjithë botën. Për kreun e Kremlinit, virusi shkaktoi një tsunami anembanë, por Rusia u përgjigj më mirë se shumë vende të tjera. “Pandemia krijoi një tsunami me probleme në të gjithë botën, jo vetëm në Rusi. Por, mund të themi se kemi reaguar më mirë se shumë vende të tjera, të cilët ende mburren për ekonomitë e tyre. Ekonomia jonë do të pësojë një rënie prej 3.6% në fund të vitit dhe këto shifra janë shumë më të mira se të tjerat”, tha Putin. Presidenti rus nuk harroi pa përmendur dhe vaksinën e prodhuar në vend, për të cilën ai tha se ka dhënë rezultate shumë të mira. Gjithashtu, ai vlerësoi dhe bashkëpunimin me AstraZeneca-n. “Vaksina jonë është e sigurt, por për momentin nuk kemi kapacitetin për të prodhuar shumë doza. Jam i sigurt që vitin e ardhshëm do të kemi makineritë e nevojshme për shtimin e prodhimit. AstraZeneca ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me ne. Është një brand i njohur dhe jam i bindur se rezultati do të jetë pozitiv”, shtoi kreu i Kremlinit. (A2 Televizion)
Putin në fjalimin e fundvitit: Nuk jam vaksinuar ende
