
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e kryeministrit Albin Kurti për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe.
Në mbledhjen e Qeverisë, Albin Kurti tha se ky vendim vjen si përgjigje ndaj bllokimit të dy linjave të interkoneksionit prej 400 kilovoltësh nga Serbia, të cilat, sipas tij, pamundësojnë transitin e energjisë elektrike nga shtetet e tjera drejt Kosovës.
Ai ka theksuar se këto linja nuk janë të nevojshme për importimin e energjisë nga Serbia, por për mundësimin e qarkullimit të lirë të energjisë elektrike nga vendet e tjera. “Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk na pengon sepse duam të blejmë energji nga Serbia, mirëpo e pamundëson shfrytëzimin e kësaj infrastrukture kritike për të sjellë energjinë transit nga shtetet tjera”, tha Kurti.
“Deri më 1 korrik 2026, e tash që po flasim, është 16 nëntor 2026. Pasi as kjo nuk ka ndodhur. Janë bërë 4 muaj e gjysmë që nuk është zbatuar ky vendim i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, ne e kemi bërë edhe një përpjekje tjetër, që përmes Bashkimit Evropian të kemi një zgjidhje të kësaj çështjeje. Duke parë që as kjo përpjekje nuk ka sjellë rezultate, ne sot po ndërmarrim kundërmasa ligjore për të ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrje të regjistruara në Serbi ose që kanë pronarë me shtetësi të Serbisë. Në këtë fazë, përjashtim do të bëhet për furnizuesin e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energji. Megjithatë, Ministria e Ekonomisë obligohet që ta përcjellë situatën dhe, nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e autoriteteve të Beogradit zyrtar, në të ardhmen do të konsiderojmë përshkallëzimin e masave, duke përfshirë edhe masa që do të mund të prekin edhe këtë furnizues, si dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për energji”, shtoi Kurti. (A2 Televizion)