Putin siguron Macron: Rusia nuk do të sulmojë centralet bërthamore në Ukrainë

Nga A2 CNN
6 Mars 2022, 17:53 | Bota
Putin siguron Macron: Rusia nuk do të sulmojë centralet

Rusia nuk do të sulmojë centralet bërthamore në Ukrainë. Kjo është garancia e shprehur nga Presidenti  Vladimir Putin, ndaj homologut francez, Emmanuel Macron, gjatë një bisede telefonike, e cila ka zgjatur  1 orë e 45 minuta. Megjithatë Putin nuk heq dorë nga ofensiva ushtarake.

Macron konfirmoi se Putin ishte shprehur shumë I vendosur në arritjen e qëllimeve të tij. “Nëse nuk e arrijmë përmes negociatave do ta bëjmë me luftë”, është shprehur presidenti rus, sipas asaj që raporton presidenca franceze. Shefi I Kremlinit ka përmendur sërish kërkesat e tij për denazifikimin e Ukrainës, mbajtjen e statusit neutral dhe pranimin e aneksimit të Krimesë si dhe pavarësisë së Donbasit.

Ndërkohë, e diela duket se ishte dita e bisedave telefonike. Më herët presidenti turk, Recep Tayyip Erdogani, i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim në Ukrainë, të hapë korridoret humanitare dhe të nënshkruajë një marrëveshje paqeje. Këtë e tha zyra e presidencës turke pas një telefonate njëorëshe mesmes dy udhëheqësve. Siç mësohet, Erdogan i tha liderit rus se Turqia është e gatshme të kontribuojë për një zgjidhje paqësore të konfliktit. “Presidenti Erdogan e filloi bisedën me fjalinë: “Le të hapim rrugën për paqen së bashku”, thuhet në deklaratën për media. Por Agjencia ruse e Lajmeve, Interfax njofton se shefi i Kremlini i kishte bwrw tw qartw presidentit turk se luftimet do të ndalen vetëm kur Kievi të pranojë kushtet e Moskës. 

Gjithashtu, kryeministri izraelit Naftali Bennett është ofruar si negociator për të zgjidhur krizën. Pas një takimi prej 3 orësh me Putin, Bennett zhvilloi bisedë telefonike me liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe atë francez Emanuel Macron. Më pas udhëtoi nga Moska në Berlin ku u takua me homologun Olaf Scholz për 90 minuta. “Mundësitë për zgjidhje janë të pakta, por ia vlen të tentojmë”, tha Bennett pas blicit diplomatik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos