
Prokurori grek në çështjen e kapitenit të Manchester United, Harry Maguire, i cili u arrestua në Mikonos pas një sherri në një lokal, i quajti qesharake deklaratat e futbollistit anglez për BBC.
Maguire tha në intervistë se mendoi se po e rrëmbenin policë të rremë dhe u përpoq që të arratisej pasi kishte frikë se mos e vrisnin pasi e goditën në këmbë me shkopa gome. Por, prokurori Janis Paradissis i quajti të pabesueshme këto deklarata dhe kritikoi BBC-në për mosthellim në pretendimin e lojtarit se dy shqiptarë i kishin dhënë motrës së tij “drogë përdhunimi”.
“Deklaratat e Maguire janë qesharake. Ai thotë se mendoi se po e rrëmbenin dhe i iku policëve, duke lënë pas të fejuarën, vëllain, motrën dhe shokët. Edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, tregon që ai nuk është burrë. Nëse unë do të isha e fejuara e tij, do të isha shumë e inatosur me sjelljen e tij. Më pas, tha se nuk e dinte se furgoni ndaloi në komisariat. Të gjithë njerëzit mund ta dallojnë komisariatin e Mikonosit gjatë ditës dhe gjatë natës. Është shumë e qartë që ajo godinë është komisariat policie. Vetëm nëse je i dehur nuk e dallon dot.
Pse BBC-ja nuk e pyeti më thellë për dy shqiptarët, pasi në gjyq tha se motrën ia kishin ngacmuar “dy burra që dukeshin si shqiptarë”. Si e kuptoi ai që ishin shqiptarë? Është ekspert në kulturën shqiptare dhe popullin shqiptar? A di shqip kapiteni i Manchester United? Në intervistë ai nuk i përmend fare shqiptarët, ndërsa shokët e tij i përmendën në gjyq. Pse? Tani po thonë që ishin thjesht dy burra. Gazetari duhet ta kishte pyetur për këtë”, tha prokurori grek për “Daily Mail”. (A2 Televizion)