Qëllonte në ajër me armë, policia e arreston, i gjenden armë e municione

Nga A2 CNN
17 Tetor 2020, 08:52 | Kronikë

Policia ka goditur dy raste të armëmbajtjes pa leje në Mallakastër dhe në Divjakë, duke arrestuar dy persona.

Fillimisht, policia ka marrë informacione se në lagjen "5 Shkurti", Mallakastër, ka pasur të shtëna me armë zjarri, ndërsa më pas është ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme dhe si rezultat është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. K., 63 vjeç.

Ky shtetas qarkullonte me armë zjarri në lagje dhe duke shkaktuar panik te banorët. Kur ka parë shërbimet e Policisë, ai ka tentuar të hedhë armën dhe të largohet, por është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë, të cilët i kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit kallashnikov.

Gjatë kontrollit të banesës së 63-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1245 fishekë, tre krëhra, një ndezës mekanik, granatë ofensive, një shkop gome, një thike me teh të gjatë, një dorezë hekuri, një dorezë me sferë hekuri goditëse, barut për armë gjahu, një radio si ato të Policisë dhe 485 kg duhan i grirë, pa dokument blerjeje.

Po në vijim të kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë kanë ushtruar kontroll në fshatin Tërbuf, Divjakë, ku kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin J. Rr., 25 vjeç. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë Divjakë i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë, 2 krëhra dhe 38 fishekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos