Një aksion i Policisë së Shkodrës dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për kapjen e disa personave që mendohet se kishin qëlluar në ajër me armë në Luarëz të Velipojës ka sjellë në zbulimin e një “magazine” armatimesh të rënda.
Të vënë në kërkim të autorëve të dyshuar, autoritetet kanë rrethuar dhe më pas kanë mësyrë në një banesë ku dyshohej se fshiheshin personat në kërkim. Aty janë gjetur dhe sekuestruar një armë ushtarake të rëndë, granat-hedhës (blind shpues), silenciator, radio policie, rreth 700 fishekë luftarakë, krehëra me fishekë kallashnikovi, dy telefona dhe një targë motoçiklete.
Pas veprimeve të para procedurale u bë shpallja në kërkim e pronarit të shtëpisë, shtetasit G. S., 50 vjeç, për veprën penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. (A2 Televizion)