Qytetet e ndotura kanë një shpresë, janë korbat dhe laraskat

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2022, 15:07 | Lifestyle

Njerëzit janë shkaktarët kryesorë të ndotjes mjedisore, në mos të vetmit, por edhe një herë atyre mund t’i vijnë në ndihmë kafshët, që ndoshta në të ardhmen mund të mbajnë pastër çdo cep të qyteteve, edhe ato më të vështira për t’u arritur.

Kjo falë shpendëve, ose më mirë korbave, që po trajnohen në një qytet të Suedisë pikërisht për këtë punë. Projekti, i ideuar nga Fondacioni “Keep Sweden Tidy” në qytetin Södertälje, merr parasysh vetinë e këtyre shpendëve për të memorizuar më me lehtësi disa komanda të kodifikuara. Shpendëve u mësohet të marrin cigaret e fikura në sqep dhe ta depozitojnë në një aparat që nga një anë mbledh mbeturinat, dhe nga ana tjetër shpërblen “pastruesit” e rinj me ushqim.

Korbat e projektit duken shumë të vullnetshëm dhe metodikë në të punuar duke sjellë sasi të mëdha mbetjesh. Ideatorë të projektit llogarisin se një qytet si Södertälje, me 70 mijë banorë, që çdo vit shpenzon rreth 2 milionë euro për pastrimin publik, falë shpendëve mund të kursehen deri në 75% të fondeve.

Madje mendohet se edhe shpendë të tjerë si laraskat mund t’i shtohen projektit, që ka pasur zhvillime vitet e kaluara edhe në Francë dhe Holandë, por ka dështuar gjithmonë për mungesë fondesh të mjaftueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos