“Rail Force One”, linja hekurudhore që ka dërguar liderët botërorë në Ukrainë

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2023, 14:36 | Bota

“Rail Force One” ishte treni që dërgoi brenda natës presidentin amerikan Joe Biden nga Przemysl Głóëny në Poloni deri në Kiev për vizitën e tij historike në Ukrainë. Presidenti amerikan e vizitoi vendin, pak para përvjetorit të parë të pushtimit të vendit nga Rusia.

Udhëtimi 10-orësh, i bërë gjatë natës u bë në diskrecion të plotë dhe në kushte të larta të sigurisë përgjatë Ukrzaliznytsia-s, operatorit shtetëror të rrjetit hekurudhor të Ukrainës.

Por ky nuk ishte udhëtimi i parë i këtij lloji në këtë hekurudhë. Ndërsa fluturimet ajrore komerciale në Ukrainë janë të ndaluara dhe qielli i vendit është tepër i rrezikshëm për politikanët brenda dhe jashtë vendit, rrjeti hekurudhor i Ukrainës është bërë "autostrada" diplomatike e vendit.

Mbi 200 misione diplomatike të huaja kanë mbërritur në vend me tren deri më tani.

Liderët botërorë, përfshirë Justin Trudeau i Kanadasë, Rishi Sunak i Britanisë së Madhe, Emmanuel Macron i Francës dhe Giorgia Meloni i Italisë, të gjithë kanë marrë trenin për në Kiev.

Në fakt, kryeministri japonez Fumio Kishida është i vetmi lider i G7-ës që nuk e ka vizituar ende vendin me tren. Kurse, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky është përdorues i rregullt i rrjetit hekurudhor në misionet e tij diplomatike jashtë vendit.

Udhëtimi i profilit të lartë të presidentit amerikan e ka vendosur rrjetin e gjerë hekurudhor të Ukrainës në qendër të vëmendjes. Linja shtrihet për afro 15,000 milje dhe është e 12-ta më e madhe në botë.

Ukrzaliznytsia është transportuesi i gjashtë më i madh hekurudhor i pasagjerëve në botë, dhe i shtati për mallrat.

Dhe ndërsa forcat ukrainase kanë shkatërruar lidhjet ndërkufitare me Rusinë, rrjeti hekurudhor ende lidhet me vendet e tjera, megjithëse ndryshimi i llojit të hekurudhave bën që trenat në përgjithësi të mos e kalojnë kufirin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos