Protsta të dhunshme shpërthyen të dielën në mbrëmje, përpara Zyrës Qendrore të Zgjedhjeve në Bukuresht, pasi autoritetet përjashtuan kandidaturën e Călin Georgescu, një politikan i ekstremit të djathtë dhe pro-rus, nga zgjedhjet presidenciale të majit, shkruan A2 CNN.
Vendimi erdhi pas akuzave për shkelje të rregullave zgjedhore dhe ndërhyrje ruse në procesin zgjedhor të mëparshëm, ku Georgescu kishte fituar raundin e parë, por rezultatet u anuluan nga Gjykata Kushtetuese.
Pamjet e transmetuara nga Antena 3 CNN treguan mbështetësit e Georgescu duke brohoritur "Nu plecăm!" ("Nuk largohemi!") përpara se situata të përshkallëzohej në dhunë. Protestuesit hodhën kokteje Molotov dhe gurë drejt policisë së trazirave, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës. Një furgon televiziv i rrjetit Digi24 u përmbys gjatë trazirave, dhe të paktën 13 xhandarë u plagosën, sipas raportimeve të Antena 3.
Autoritetet kanë forcuar masat e sigurisë dhe kanë nisur një hetim penal lidhur me shkatërrimin e furgonit, duke shqyrtuar pamjet filmike për të identifikuar përgjegjësit.
Georgescu e dënoi vendimin e autoriteteve zgjedhore, duke e quajtur atë një "kërcënim për demokracinë globale". Ai ka marrë mbështetje nga figura të njohura, përfshirë George Simion, lider i partisë së ekstremit të djathtë AUR, si dhe nga personalitete ndërkombëtare si Elon Musk dhe zv.presidenti amerikan JD Vance, të cilët kritikuan vendimin si antidemokratik.
Zgjedhjet presidenciale janë planifikuar të mbahen më 4 maj, me një raund të dytë potencial më 18 maj. Kandidatë të tjerë, si kryetari aktual i Bashkisë së Bukureshtit, Nicușor Dan, dhe ish-lideri liberal Crin Antonescu, kanë shpallur kandidaturat e tyre.
Situata aktuale ka shkaktuar shqetësime për stabilitetin politik të Rumanisë dhe integritetin e procesit zgjedhor, duke nxitur debate mbi ndikimin e ndërhyrjeve të huaja dhe rritjen e lëvizjeve populiste në vend. (A2 Televizion)