Provokuese, e ka cilësuar kryeministri grek, Kyriakos Kitsotakis, etiketimin e emrit "Maqedoni" nga ana e Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Davkova, gjatë ceremonisë së betimit në Parlament.
Në një postim në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë greke, përmendi shkeljen e marrëveshjes së Prespës dhe integrimin europian.
“Zgjedhja provokuese e Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut për të shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe për ta quajtur vendin e saj me një emër tjetër është një nismë e paligjshme dhe e palejueshme. Akt, i cili shkel Marrëveshjen e Prespës dhe vetë Kushtetutën e shtetit të saj. Ne nuk do të lejojmë shkeljen e Marrëveshjes së Prespës. I kujtojmë Shkupit se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, apo edhe rruga drejt anëtarësimit në BE do ta varet nga zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Mitsotakis.
Edhe Bashkimi Europian shprehu keqardhje për faktin që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova, nuk përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së saj të betimit. Reagimi erdhi nga shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
"Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme për anëtarësimin në BE, është thelbësore që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, u shpreh Von der Leyen.
Duke iu drejtuar ligjvënësve dhe VIP-ave të mbledhur të ftuar në sallën e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Davkova tha se do të "respektojë kushtetutën dhe ligjet dhe do të mbrojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë".
“Deklaroj se detyrën e presidentit të Maqedonisë do ta kryej në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme”, u shpreh presidentja.
Reagim pati edhe nga Bullgaria, e cila kujtoi Maqedonisë së Veriut respektimin Marrëveshjes së Prespës. Kontratat duhet të zbatohen dhe deklarata të tilla janë të papranueshme dhe kontratat duhet të zbatohen, paralajmëroi Sofja. (A2 Televizion)