Loja me “dy porta” e Vuçiç, Politico: Lideri serb po humbet besimin e Brukselit

Nga Erjon Dervishi
19 Gusht 2024, 15:07 | Ballkani

Tentativa e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për t'u bërë udhëheqësi i preferuar i Brukselit për Ballkanin po dështon. Kështu shkruan në një editorial të sajën, revista prestigjioze Politico.

Vuçiç ka arritur të mbyllë një marrëveshje për të furnizuar Bashkimin Evropian me litiumin që i nevojitet për të fuqizuar numrin e madh të automjeteve elektrike të së ardhmes, citon Politico.

Por, vijon Politico, duke vepruar kështu, Vuçiç ka rizgjuar një lëvizje masive kundër një projekti të madh minierash që është bekuar si nga Brukseli ashtu edhe nga Berlini. I frikësuar, Vuçiç ka akuzuar protestuesit që u mblodhën në dhjetëra mijëra më 10 gusht se po komplotonin për ta rrëzuar atë.

“Kjo është pjesë e një qasjeje hibride të kryerjes së revolucioneve me ngjyra”, u tha Vuçiç gazetarëve pak pas protestave, duke thënë se paralajmërimi i tij për një grusht shteti të mundshëm bazohej në informacionin e marrë nga Rusia – mbrojtësi historik i kombit ballkanik.

Është një paradoks thekson Politico: Duke iu kthyer Perëndimit për të mundësuar kalimin e tij drejt një të ardhmeje të gjelbër, Vuçiç, thonë kritikët e tij, ka dënuar 7 milionë banorët e Serbisë për shfrytëzim të mëtejshëm ekonomik dhe ndotje të mjedisit.

Entuziazmi i BE-së nuk ndahet nga njerëzit në Serbi, të cilët mendojnë se mbështetja e saj tek Vuçiç vetëm sa ka inkurajuar tendencat e tij autokratike. Në korrik, Vuçiç mirëpriti kancelarin gjerman Olaf Scholz me madhështi për të nënshkruar një marrëveshje që zyrtarizon mbështetjen e BE-së për minierën.

Por vetëm dy muaj më parë, një mirëseardhje edhe më e madhe iu bë presidentit kinez Xi Jinping, me qindra serbë që u mblodhën për ta përshëndetur, duke valëvitur flamujt kinezë dhe duke kënduar lavdërime për një "miqësi të hekurt" gjatë udhëtimit të tij të parë në Evropë që nga pandemia e koronavirusit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos