Në fshatin turistik të Thethit në njësinë Shalë vijon aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Ky aksion nisi një ditë më parë me prishjen e 10 objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në oborrin e Kishës së Thethit.
Aksioni është zhvilluar nga IKMT e rajonit Shkodër, duke patur mbështetjen e Policisë vendore të Shkodrës dhe policisë bashkiake, shkruan A2 CNN.
Kjo çështje u kthye në një debat kombëtar pas reagimit të kryeministrit Rama i cili e cilësoi skandaloz vendimin e prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli për pushimin e çështjes lidhur me 10 objektet në oborrin e kishës së Thethit.
Prokuroria e Shkodrës reagoi duke thënë se deklaratat e kryeministrit Rama nuk qëndrojnë pasi vetë policia e Shkodrës dhe bashkia Shkodër nuk i kanë referuar këto objekte të ndërtuara pa leje si vepër penale dhe se nuk duhet të ketë asnjë lloj ndikimi dhe presioni ndaj organit të akuzës, sepse sipas tyre pushtetet janë të ndara dhe të pavarura, garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë.
Përveç 10 objekteve në fjalë, fadromat e IKMT kanë ndërhyrë edhe në 8 objekte të tjera aty afër duke bërë të mundur prishjen e tyre si dhe në një objekt tjëtër që po ashtu është shembur, shkruan A2 CNN.
Në total deri më tani janë 19 objekte të prishura. Është ende e paqartë nëse ky aksion do të vijojë nga IKMT e Shkodrës dhe Policia e Shtetit në fshatin turistik të Thethit në objekte të tjera të ndërtuara pa leje. (A2 Televizion)