Ervin Salianji fiton lirinë, ish-deputeti del me kusht 10 muaj pas qëndrimit në qeli

Nga Xhensila Kodra
8 Korrik 2025, 14:57 | Politikë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji lirohet me kusht nga burgu, gati tre muaj përpara përfundimit të dënimit prej një viti, që po vuante për kallëzim të rremë në çështjen e njohur si “Babale”.

Vendimi u dha këtë të martë në Gjykatën e Fierit. Gjyqtari Noel Veizi pranoi kërkesën e Salianjit për lirimin me kusht, pas një raporti pozitiv të dorëzuar nga Shërbimi i Provës dhe dakordësisë së prokurorit Genci Mane. Në seancë ishte i pranishëm edhe vetë ish-deputeti Ervin Salianji.

Në përfundim të seancës, avokati i tij mbrojtës Ledjo Braho nuk nguroj të përsërisë se procesi gjyqësor ndaj Salianjit ka qenë tërësisht politik.

Ish-deputeti demokrat u arrestua në shtator të vitit 2024, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë që e shpallte atë fajtor për kallëzim të rremë. Salianji u dënua me 1 vit burg në lidhje me publikimin e një audio-përgjimi në vitin 2018, ku pretendonte se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.

Çështja në atë kohë u pasua edhe me reagime të ashpra politike. Gjatë gjithë procesit, vetë Salianji e ka cilësuar gjyqin si të montuar politikisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos