“Helios” mbyll Akropolin. Jo perëndia e lashtë greke, por objekti qiellor që përfaqëson, Dielli. Temperaturat e larta përvëluese kanë detyruar autoritetet që përkohësisht ta mbyllnin atraksionin turistik nga ora 13 e mesditës deri në 17 të pasdites.
Këtë e konfirmoi ministria e kulturës së Greqisë. Parashikimet meteorologjike njoftuan temperatura që shkojnë deri në 42 gradë celsius për këtë shtet europian, duke nxitur autoritetet të lëshonin alarmin për zjarre dhe rrezik të lartë për qytetarët. Përpara mbylljes së Akropolit për disa orë, turistët u panë të pajisur me kapele dhe çadra, ndërsa prisnin në radhë për të vizituar mrekullinë e së shkuarës mes vapës përvëluese.
“Jam nga Argjentina, kështu që jam mësuar me të nxehtin, por mendoj se është shumë e rëndësishme që planifikimi të bëhet përpara se të nisë piku i vapës”, tha Thomas, turist nga Argjentina.
“Jemi nga Teksasi, ndaj jemi mësuar me këtë lloj të të nxehti, dhe për ne nuk ndihet si diçka e papërballueshme. Jemi mësuar me temperature mbi 40 gradë. Kjo nuk duket aq shumë situatë e keqe, veçanërisht kur qëndron në hije dhe frynë erë, madje të shijon. Mendoj sinqerisht se autoritetet greke, zyrtarët e Akropolit bënë shumë mirë që lëshojnë vetëm bileta kohore, kështu që nuk ka kurrë shumë radhë atje, kjo është në të vërtetë një ide e shkëlqyer”, tha Theodore Kisloph, turist nga Teksasi, SHBA.
Autoritetet në Greqi kanë këshilluar punonjësit që ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë godinave që të ndalojnë punën për pesë orë mes mesditës deri në orën 17:00, ku normalisht regjistrohet temperatura më e lartë. Vala e të nxehtit pritet që të zgjasë për disa ditë, derisa të ketë pak lehtësime. (A2 Televizion)