Salianji fitoi lirinë, Berisha: U dënua politikisht nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj

Nga A2 CNN
8 Korrik 2025, 15:00 | Politikë

Mbajtja në qeli për më shumë se nëntë muaj e Ervin Salianjit, në gjykimin e Sali Berishës është bërë jashtë çdo lloj ligji dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Në ditën e lirimit nga qelia të ish-deputetit të PD, lideri i opozitës pohoi se Salianji ka qëndruar në burg me urdhër të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt.

“Ervin Salianji vuajti jashtë çdo lloj ligji, Kushtetute dhe rregulli. 9 muaj në burg vetëm e vetëm pse denoncoi Geron Xhafën si trafikant kryesor në qarkun e Vlorës. Burgosja e Ervin Salianjit kishte si synim kryesor burgosjen e të vërtetës”.

Në konferencën për mediat, Berisha denoncoi një akt të rëndë që sipas tij po i ndodh Ilir Metës në burg, ku pohoi se po i ushtrojnë terror psikologjik.

“Me urdhër të Edi Ramës dhe Ulsi Manjës, banditë me uniformë kanë ushtruar terror psikologjik ndaj Ilir Metës sepse ai ka dhënë një intervistë në media, ka ushtruar të drejtën e fjalës së tij”.

Lidhur me aksionin e Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike, pohon se bëhet për të shmangur vëmendjen nga katastrova mjedisore në Elbasan. Lideri demokrat shton se djegia e mbetjeve në Elbasan është shumë herë me e rëndë se ndërtimet pa leje në Theth.

“Edi Rama, për të mbuluar helmimin që u bëri qytetarëve të Elbasanit..., ...shkon e merret me kontejnerët e një krimineli, i cili sipas dosjes ‘Metamorfoza’ ishte angazhuar për të ekzekutuar kryeministrin e Kosovës. Informoj qytetarët se zhurma që bëhet për Thethin është njëlloj si të përpiqesh të mbulosh megakrimin e tij. Prek Kodra rezulton si njeri që kishte marrë përsipër”.

Në debatin mes kryeministrit dhe prokurorisë Shkodër, Berisha zgjodhi të rreshtohej në krahun e organit të akuzës, ku sipas tij veprimet e prokurores janë akte dinjitoze në mbrojtje të ligjit dhe Kushtetutës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos