Ka shkuar në 51 numri i viktimave nga zjarri që shpërtheu në një klub nate në koçan të Maqedonisë së Veriut. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, i cili ka dhënë detaje nga tragjedia e tmerrshme në Koçan, përcjell A2 CNN.
Sipas Toshovski deri më tani janë edhe mbi 100 të tjerë të plagosur. Ai tha se sipas informacioneve të para, zjarri është shkaktuar nga shkëndija të cilat më pas kanë përfshirë tavanin, i cili ishte prej materiali lehtësisht të ndezshëm, shkruan A2 CNN.
Ministri deklaroi se deri më tani janë arrestuar disa persona, përfshirë edhe pronarin e diskotekës.
Ndërkohë Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka formuar një ekip prokurorësh që do të udhëheqë veprimet hetimore në Koçan. Prokurorët, së bashku me shërbimet e tjera kompetente, janë në terren. Ekipi i prokurorëve përbëhet nga prokurorë nga Shkupi, Shtipi dhe Koçani, njoftojnë nga prokuroria lidhur me tragjedinë në Koçan ku mbetën te vdekur 51 persona ndërsa mbi 100 janë lënduar. (A2 Televizion)