Simiq dhe Vuksanoviq deklarohen të pafajshëm për sulmet ndaj gazetarëve në veri

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 17:00 | Ballkani

Simiq dhe Vuksanoviq deklarohen të pafajshëm për sulmet ndaj

Deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe Urosh Vuksanoviq, janë deklaruar të pafajshëm për akuzën që lidhet me sulmet ndaj gazetarëve në Leposaviq në qershor të vitit 2023.

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë u mbajt seanca fillestare për Simiqin dhe Vuksanoviqin, pasi e njëjta ishte shtyrë më 18 shtator.

“E nderuara gjyqtare, absolutisht nuk jam fajtor”, tha Simiq në gjykatore.

Edhe Vuksanoviq tha se “nuk e pranoj fajësinë sepse jam i pafajshëm”.

Seanca e fillestare më 18 shtator u shty pasi avokatët e të akuzuarve thanë se nuk kanë pranuar shkresat e plota nga prokurori i rastit.

Për çfarë akuzohet deputeti Simiq dhe Vuksanoviq?

Më 13 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngriti aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Simiq akuzohet për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Sipas Prokurorisë, Simiq më 16 qershor të vitit 2023 gjatë protestave kundër vizitës të ministrit, tashmë në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi “me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat”.

Në njoftimin për ngritjen e aktakuzës, Prokuroria tha se sulmi vazhdoi në drejtim të gazetarëve, fillimisht me shok bomba, e më pas turma u godit me grushte, shqelma, mjete të forta, tulla betoni, e gjësende të tjera. Gjatë këtij sulmi pësuan lëndime të rënda trupore dy gazetarë, tha Prokuroria.

Ndërkaq, të pandehurin Urosh Vuksanoviq, Prokuroria e akuzon për përfshirje “të drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve të Kosovës”.

Ai akuzohet për veprat penale “sulmi” dhe “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Pasi u ngrit aktakuza, Lista Serbe deklaroi se Simiq kishte tentuar “të mbrojë të gjithë të pranishmit, përfshirë ekipet mediale”.

Sulmi i 16 qershorit të vitit 2023 ishte dënuar nga politikanë vendorë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atë vit, në Leposaviq dhe në tri komunat e tjera në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gazetarët ishin cak i disa sulmeve teksa ata po mbulonin protestat e serbëve lokalë kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave.

Zgjedhja e kryetarëve shqiptarë erdhi pasi kryetarët serbë ishin tërhequr dhe më pas partitë serbe bojkotuan zgjedhjet që u mbajtën në prill.

Protestat më 2023 kulmuan me përplasjen mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj. Gjatë kësaj përplasjeje u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe protestues. NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos