Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë nisur të votojnë mëngjesin e sotëm për të zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit.
Kutitë e votimit në 3840 vendvotime u hapën në orën 07:00 e do të mbyllen në 19:00, ndërsa të drejtën e votës e kanë mbi 1.8 milionë votues, të cilët do votojnë për 17 parti politike dhe koalicione.
Sot do votohet edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku në garë janë Stevo Pendarovski nga koalicioni i LSDM-së dhe Gordana Siljanovska-Davkova nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së. Për president do të zgjidhet kandidati që do të arrijë të fitojë mbi 40% të votave, ose mbi 720 mijë votues.
Në raundin e parë, Davkova i fitoi 363.000 vota, apo 40 për qind, ndërsa kundërshtari i saj Pendarovski rreth 180.000 vota, apo 19 për qind.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi se sot qytetarët do të mund të hyjnë në vendvotim vetëm një herë dhe do t’u ofrohet mundësia të votojnë për president dhe deputetë ose vetëm për njërën nga dy zgjedhjet e mundshme.
“Votuesi merr dy fletë votimi nëse vendos të votojë për të dyja llojet e zgjedhjeve ose vetëm një fletë votimi për zgjedhjet për të cilat vendos të votojë”, theksoi KSHZ.
Në këto zgjedhje do të ketë 2000 vëzhgues, nga të cilët 1078 janë vendas dhe 770 vëzhgues të huaj. Zgjedhjet do të ndiqen nga 66 gazetarë të huaj.
Misioni i OSBE/ODIHR ka akredituar 410 vëzhgues dhe 14 ekspertë. Zgjedhjet do të monitorohen nga 138 vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, komisioni ad hoc i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me 33 vëzhgues, si dhe 68 vëzhgues nga Ambasada Amerikane në Shkup.
(A2 Televizion)