Izet Mexhiti, zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, deklaroi se tragjedia ku humbën jetën 59 të rinj në diskotekë, erdhi si pasojë e qeverisjes së kaluar.
“Mendoj që është pasojë e qeverisjes së kaluar, pasi rasti i Tetovës nuk mori epilogun e duhur. Nuk u dhanë dënimet, pati amnistime, dhe kjo dha mesazhin se mund të vazhdohet me falsifikime licencash dhe anomali të tilla. Sidoqoftë, ne po merremi me këtë rast në të gjitha dimensionet. I pari është dimensioni shëndetësor. Kemi 59 viktima të reja, 155 të plagosur, prej të cilëve 47 janë dërguar për trajtim në shtete të tjera”, tha Mexhiti.
Sipas tij, kjo tragjedi erdhi nga keqqeverisja.
“Objekti nuk i përmbushte normat e duhura, licenca e dhënë në të kaluarën është falsifikuar. Po merremi me investigimin dhe 20 persona janë para organeve të drejtësisë, duke nisur nga ish-ministri i Ekonomisë”, theksoi Mexhiti.
“Të gjithë ata që kanë falsifikuar dokumente do të marrin dënimin e merituar. Sot pati mbledhje urgjente të qeverisë dhe nga nesër do të ketë kontrolle të rrepta në të gjitha diskotekat për t’i kontrolluar licencat dhe kushtet. Çdo mungesë e vogël do të pasojë me mbyllje dhe përgjegjësi ligjore”, deklaroi më tej Izet Mexhiti.
(A2 Televizion)