Tre persona u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën, përfshirë gjashtë fëmijë, pas një sulmi rus në lagjen Desna të Kievit. Sipas kryetarit të bashkisë, Vitali Klitsko, mbeturinat nga disa dronë goditën një ndërtesë banimi, duke shkaktuar zjarr që u përhap në disa kate. Për pasojë shtatë persona u plagosën, përfshirë dy fëmijë, u shtruan në spital.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi sulmet, duke theksuar se Rusia vazhdon të synojë ndërtesat e banimit, fëmijët dhe infrastrukturën civile. Ai tha se vetëm gjatë kësaj jave Rusia ka përdorur mbi 1,200 dronë sulmi dhe 1,360 bomba ajrore kundër Ukrainës.
Në frontin lindor, ushtria ruse pretendon se ka rrethuar mbi 10,000 trupa ukrainase në rajonet e Kharkivit dhe Donetskut. Sipas Kremlinit, 5,000 ushtarë ukrainas janë të bllokuar në zonën e Kupyanskut dhe mbi 5,500 në atë të Pokrovskut. Presidenti Vladimir Putin, gjatë një vizite në një qendër komanduese ushtarake, urdhëroi forcat ruse të sigurojnë dorëzimin e trupave ukrainase dhe të minimizojnë humbjet e jetëve njerëzore, raportojnë mediat ruse.
Ndërkohë, Moska njoftoi testimin me sukses të raketës së re balistike ndërkontinentale me fuqi bërthamore 9M730 Burevestnik, e cila përshkoi 14,000 kilometra në 15 orë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, e përshkroi raketën si “të pakrahasueshme në botë”, ndërsa Putin theksoi se testet tregojnë fuqinë teknologjike të Rusisë.
Ndërsa Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë për më shumë sanksione dhe presion të koordinuar ndaj Moskës. (A2 Televizion)
