
Bashkimi Evropian po zhvillon një plan të ri për të frenuar varësinë nga materialet e papërpunuara kineze, tha të shtunën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa kritikoi Pekinin për kufizimet e zgjeruara në eksportin e metaleve të rralla.
Bashkimi Evropian për vite me radhë është përpjekur ta zvogëlojë varësinë nga Kina për mineralet që janë të nevojshme për kalimin drejt energjisë më të pastër, sektorin e mbrojtjes dhe prodhimin e automjeteve elektrike.
Von der Leyen tha se BE-ja do të kërkojë t’i përshpejtojë partneritetet për materiale kritike të papërpunuara me vende si Australia, Kanadaja, Kili, Grenlanda, Kazakistani, Uzbekistani dhe Ukraina.
Plani do të përfshijë gjithashtu përpjekje më të mëdha për riciklimin e materialeve kritike të papërpunuara në produktet që shiten në Evropë, shtoi ajo.
“Qëllimi është të sigurohet qasja në burime alternative të materialeve kritike të papërpunuara në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë për industrinë tonë evropiane”, tha ajo në një konferencë në Berlin.
Sipas saj, skema, e quajtur RESourceEU, do të jetë e ngjashme me planin që BE-ja zhvilloi pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 për të ulur varësinë nga energjia ruse, të njohur si REPowerEU.
“Ne do të fokusohemi në gjithçka, nga blerjet e përbashkëta deri te krijimi i rezervave. Do të rrisim investimet në projekte strategjike për prodhimin dhe përpunimin e materialeve kritike të papërpunuara këtu në Bashkimin Evropian”, shtoi ajo.
Më 9 tetor, Kina vendosi kufizime në eksportin e metaleve të rralla dhe materialeve për bateri. Qeveritë perëndimore dhe analistët e shohin këtë si pjesë të reagimit të Kinës ndaj tarifave tregtare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.
Por, Von der Leyen tha se kjo kishte gjithashtu një ndikim të madh në Evropë, në sektorët industrialë përfshirë atë të automobilëve, mbrojtjes, industrinë ajrore, çipat e inteligjencës artificiale dhe qendrat e të dhënave.
“Nëse merrni parasysh që mbi 90% e konsumit tonë të metaleve të rralla vjen nga importet nga Kina, e kuptoni rrezikun që ekziston këtu për Evropën dhe për sektorët e saj më strategjikë industrialë”, tha ajo.
“Në afat të shkurtër, ne po përqendrohemi në gjetjen e zgjidhjeve me homologët tanë kinezë. Por jemi të gatshëm të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për të reaguar, nëse është e nevojshme”, shtoi ajo. REL (A2 Televizion)
