Sulm në shkollën e vajzave në Iran, vriten 160 persona

Nga A2 CNN
1 Mars 2026, 12:31 | Bota

Sulm në shkollën e vajzave në Iran, vriten 160 persona

Të paktën 160 persona kanë humbur jetën dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketa që goditi një shkollë vajzash në qytetin e Minab, në jug të Iranit.

Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, shkolla ndodhej rreth 60 metra larg një baze ushtarake që ishte objekt i sulmeve të koordinuara të Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit. Autoritetet iraniane e kanë cilësuar ngjarjen si një “krim të madh” dhe kanë shpallur të dielën ditë zie.

Ndërtesa më parë ishte pjesë e kompleksit ushtarak, por imazhet satelitore tregojnë se dy zonat janë të ndara që nga të paktën viti 2016.

Operacionet e kërkim-shpëtimit, deklaroi guvernatori i provincës, "vazhdojnë dhe po bëjmë gjithçka që është e mundur për të shpëtuar çdo person që mund të ketë mbetur gjallë nën rrënoja". Këto operacione "do të vazhdojnë derisa të përfundojnë dhe të gjitha burimet e provincës janë mobilizuar për të ndihmuar viktimat e kësaj ngjarjeje tragjike".

Ai shprehu solidaritetin e tij me familjet e viktimave dhe popullin e Minabit, duke u bërë thirrje të gjitha autoriteteve shëndetësore dhe të ndihmës që të japin përparësi kujdesit urgjent për të plagosurit.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian dënoi sulmin brutal në shkollën e Minabit, duke e quajtur atë një "faqe të errët" në historinë e sulmuesve dhe duke shprehur "pikëllimin e thellë" të kombit.

"E dënoj fuqimisht këtë akt çnjerëzor dhe shpreh ngushëllimet e mia familjeve të viktimave, popullit të Minabit dhe të gjithë popullit iranian, duke ndarë hidhërimin e tyre të thellë", tha Pezeshkian në një deklaratë.

Më herët, Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi postoi një foto të ndërtesës së shkatërruar të shkollës, duke shkruar: "Ky vend u bombardua në mes të ditës, kur ishte plot me nxënëse të reja. Këto krime, nuk do të mbeten pa u ndëshkuar ", deklaroi ai .

Një video e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRIB e Iranit tregon të paktën tetë qese me trupa në dyshemenë e ndërtesës pas sulmit.

Zëdhënësi i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), Tim Haëkins, deklaroi se Uashingtoni është në dijeni të raporteve për viktima civile që lidhen me operacionet ushtarake në vazhdim, se raporte të tilla po merren seriozisht dhe po hetohen. Ai përsëriti se mbrojtja e civilëve mbetet një përparësi dhe se do të merren të gjitha masat paraprake të mundshme për të zvogëluar rrezikun e dëmit të paqëllimshëm.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, duke cituar mediat iraniane, raportoi sulmin ajror që vrau dhe plagosi shumë njerëz në shkollën e vajzave në Minab. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos