
Dy persona kanë humbur jetën gjatë natës nga sulmet ajrore ruse në Ukrainë, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë kanë mbetur pa energji elektrike, thanë zyrtarët ukrainas të dielën.
E gjithë rajoni lindor i Donetskut është pa energji pas goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike. Sipas autoriteteve, Rusia ka shtuar sulmet me raketa dhe dronë ndërsa afrohet dimri, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë dhe duke detyruar ekipet e emergjencës të punojnë me ritme të shpejta për riparime dhe menaxhimin e ndërprerjeve me radhë, shkruan A2 CNN.
Dy viktimat janë raportuar në rajonin jugor të Odesës, ku kamionë transporti u goditën nga sulmet ajrore. Në rajonin juglindor të Zaporizhzhias, rreth 60 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike, njoftuan autoritetet lokale.
Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi të dielën se Rusia ka lëshuar gjatë javës së fundit gati 1,500 dronë sulmues, 1,170 bomba të drejtuara dhe më shumë se 70 raketa ndaj Ukrainës, përfshirë ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile. (A2 Televizion)
