10 mijë ushtarë bllokojnë Hormuzin. Trump për bisedimet SHBA-Iran: Diçka do të ndodhë pas 2 ditëve

Nga Xhevahir Qardaku
14 Prill 2026, 22:35 | Bota

Amerika dhe Irani do të kthehen sërish në Pakistan për të vazhduar aty ku e lanë: të gjejnë një marrëveshje paqeje për luftën që është lënë pezull.

Presidenti Donald Trump tha se “diçka mund të ndodhë” gjatë dy ditëve të ardhshme në Pakistan.

“Duhet të qëndroni atje, me të vërtetë, sepse diçka mund të ndodhë gjatë dy ditëve të ardhshme, dhe ne jemi më të prirur të shkojmë atje”, i tha Trump një gazetari të “New York Post” të vendosur në Islamabad.

“Ka më shumë të ngjarë (të ndodhë diçka), e dini pse? Sepse Marshalli po bën një punë të shkëlqyer”, shtoi Trump, i cili po i referohej gjeneralit të Pakistanit, marshallit Asim Munir, duke e quajtur atë “fantastik”, shkruan A2.

Gjeneva është përmendur gjithashtu si një tjetër vend i mundshëm për bisedime paqeje, por Trump duket se e minimizoi këtë mundësi. “Pse duhet të shkojmë në një vend që nuk ka të bëjë fare me të?”, tha Trump.

Gjatë 24 orëve të fundit, “asnjë anije nuk ka arritur të anashkalojë bllokadën amerikane” dhe “gjashtë anije tregtare kanë ndjekur direktivat e forcave amerikane për të ndryshuar kursin dhe për t'u kthyer në një port iranian në Gjirin e Omanit”.

Kjo u raportua nga Komanda Qendrore e SHBA-së, duke shpërndarë informacion mbi operacionin e bllokadës detare të zbatuar në portet iraniane. Komanda shpjegon më tej se operacioni ka angazhuar mbi 10 mijë vetë personel, duke përfshirë marinarë, ushtarë dhe pilotë, si dhe një duzinë anijesh luftarake dhe dhjetëra avionë.

“Bllokada po zbatohet në mënyrë të paanshme kundër anijeve të të gjitha kombeve që hyjnë ose dalin nga portet dhe zonat bregdetare iraniane, duke përfshirë të gjitha portet iraniane në Gjirin Arabik dhe Gjirin e Omanit”, lexohet në njoftim, ndërsa saktësohet se “forcat amerikane po mbështesin lirinë e lundrimit për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit që nuk kanë lidhje me portet e Iranit”.

Megjithatë, në media ka raportime që kundërshtojnë pretendimin e Uashingtonit. CNN shkruan se disa anije që kanë lënë portet e Iranit kanë mundur që të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos