Presidenti Volodymyr Zelenskyy foli dje në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër, ku parashikoi se si mund të duket Evropa pasi të përfundojë lufta me Rusinë.
Sipas mediave të huaja, Zelensky pretendoi se Moska do të kthehej në Evropë me një ushtri dhjetë herë më të madhe se ajo që pushtoi Ukrainën në vitin 2022, nëse një marrëveshje paqeje nuk përfshin garanci të forta sigurie.
Ai tha se të paktën 200,000 ushtarë evropianë do të nevojiteshin për të shërbyer si paqeruajtës në rast të marrëveshjes së armëpushimit.
Kjo shifër sipas Zelenskyt, ishte minimale dhe nuk ishte asgjë në krahasim me atë që ishte vërtet e nevojshme, shkruan A2 CNN.
Ai gjithashtu paralajmëroi forumin, të mbajtur në Davos, se Evropa mund të jetë ende nën kërcënim nga trupat ruse pas përfundimit të luftës.
“Të mos harrojmë, nuk ka asnjë oqean që i ndan vendet evropiane nga Rusia”, tha ai, shkruan A2 CNN.
“Udhëheqësit evropianë duhet të kujtojnë se këto beteja ku përfshihen ushtarë të Koresë së Veriut po ndodhin tani në vende gjeografikisht më afër Davosit sesa Pheniani”, tha më tej Presidenti Ukrainas.
Kujtojmë se Rusia ka kërkuar ndihmën e ushtarëve nga Koreja e Veriut për të luftuar në luftën e saj me Ukrainën, në mes të lidhjeve të thelluara politike dhe ushtarake midis Moskës dhe Phenianit. (A2 Televizion)