Rusia refuzoi me vendosmëri një situatë ku trupat të huaja do të stacionoheshin në Ukrainë për të ofruar garanci sigurie. Pas deklaratës së presidentit francez Emanuel Macron, se 26 shtete aleatë perëndimore ishin angazhuar zyrtarisht për të dërguar trupa nga ajri toka dhe deti në Ukrainë, ditën pasi të arrihet marrëveshja e armëpushimit, Kremlini e bëri të qartë se nuk mund ta lejonte diçka të tillë.
Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi se trupat perëndimorë në Ukrainë do të ishin një shënjestër e ligjshme e Moskës.
“Sa i përket mundësisë së dërgimit të kontingjenteve të huaja ushtarake në Ukrainë, kjo është një prej shkaqeve kryesore të konfliktit pas tërheqjes së Ukrainës në NATO. Prandaj nëse ndonjë forcë e huaj do të shfaqet atje, veçanërisht gjatë operacioneve ushtarake, ne do t’i konsiderojmë ato objektiva të ligjshëm për shkatërrim. Nëse do të ndërmerren vendime që çojnë drejt paqes, një paqe afatgjatë nuk shoh asnjë arsye për praninë e këtyre trupave në territorin ukrainas”, tha kreu i Kremlinit.
Putin shtoi më tej se nëse një marrëveshje paqeje do të arrihej mes Moskës dhe Kievit, Rusia do ta implementonte plotësisht.
Më herët, zëdhënësi i Kremlinit tha se përpjekja e NATO për të hyrë në Ukrainë përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për vendin.
Teksa njoftoi vendimin në përfundim të samitit të 35 vendeve të të ashtuquajturit “Koalicioni i të vullnetshmeve’’ në Paris, presidenti francez tha se gjatë ditëve në vazhdim do të finalizohej edhe mbështetja amerikane.
“Në fund të samitit zhvilluam një telefonatë me presidentit amerikan Donald Trump. Konkluzioni ishte i thjeshtë; gjatë ditëve në vazhdim do te finalizojmë mbështetjen amerikane për këto garanci sigurie. Siç thashë Shtetet e Bashkuara janë të përfshira në çdo hap të procesit. Kemi 26 vende që janë angazhuar formalisht për të dërguar trupa të Ukrainë, për të ofruar garanci në territorin e këtij vendi , ditën pas arritjes së armëpushimit ose paqes”, tha Macron.
Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar rishtazi se mbështetja amerikane me gjasë do të vijë në formën e asistencës ajrore, ndërsa Zelenski tha se kishte folur me kreun e Shtëpisë së Bardhë për mbrojtje maksimale të qiejve të Ukrainës.
Siç thuhet gjatë bisedës me koalicionin e të vullnetshme, Trump kishte kërkuar që BE të punonte me SHBA për penguar importet e naftës dhe gazit rus. (A2 Televizion)