44 palestinezë të vdekur në “paqe”. Frikë e madhe për kthimin e luftës, Hamasi vonon kthimin e pengjeve

Nga Xhevahir Qardaku
14 Tetor 2025, 22:55 | Bota

Në Rripin e Gazës ka paqe, por tragjedia vazhdon. Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Hamasi, raportoi se 44 persona të pajetë u transportuan në spital në 24 orët e fundit, gjithashtu edhe 29 të plagosur.

Sipas bilancit të grupit palestinez, numri i përgjithshëm i viktimave që nga 7 tetori 2023 është rritur në 67 913 të vdekur dhe në mbi 170 mijë të plagosur. Nëntë palestinezë janë vrarë nga ushtria e Izraelit që nga agimi, ndërsa përpiqeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Qytetin e Gazës dhe Khan Yunis, sipas medias “Al Jazeera”.

Sikur kjo të mos mjaftonte, marrëveshja e armëpushimit tashmë po mbahet vetëm nga një fije e hollë, shkruan A2.

Moskthimi i trupave të pengjeve brenda afatit kohor të rënë dakord midis Izraelit dhe Hamas “mund të rrezikojë paktin e arritur”, tha një burim politik izraelit për faqen e internetit të lajmeve Ynet News. I njëjti burim theksoi, megjithatë, se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar në lidhje me shkeljen e marrëveshjes nga Hamasi, pasi lëvizja kishte parashikuar se gjetja e trupave të pengjeve të ndjerë do të ishte e vështirë.

Megjithatë, një vendim lidhur me këtë është marrë. Zyrtarët izraelitë thanë se pika e kalimit Rafah për në Gaza do të mbetet e mbyllur nesër dhe se fluksi i ndihmave në enklavë do të reduktohet, raporton Sky News.

Zyrtarët saktësuan se masat u morën kundër Hamasit për dështimin në dorëzimin e trupave të të gjithë pengjeve të vdekur. Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se faza tjetër e negociatave mbi planin e tij për t'i dhënë fund luftës është duke u zhvilluar, por ende nuk ka detaje se si, ku dhe kur do të kryhen ato.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos