Dy palestinezë të armatosur hapën zjarr në një stacion autobusi në periferi të Jerusalemit të hënën në mëngjes duke vrarë gjashtë persona, në një nga sulmet më vdekjeprurëse në qytet ndër vite, të cilin policia izraelite e përshkroi si një "sulm terrorist".
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë njerëz duke vrapuar në panik nga një autobus që ishte ndaluar në anë të rrugës ndërsa dëgjoheshin të shtëna me armë. Pamje të tjera treguan xhamin e përparmë dhe dritaret e autobusit të mbushura me plumba.
“Papritmas dëgjova të shtëna me armë... Ndjeva sikur po vrapoja për një përjetësi. Mendova se do të vdisja", tha Estelle Lugashi, një viktimë e sulmit, për televizionin izraelit nga brenda spitalit.
Shërbimet e emergjencës thanë se viktimat përfshinin një burrë rreth të 50-ave, një grua afërsisht të njëjtës moshë dhe tre burra rreth të 30-ave. Gjithsej 11 persona u plagosën, gjashtë prej tyre rëndë me plagë nga armë zjarri.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gidon Saar, më vonë konfirmoi vdekjen e një personi të gjashtë, duke vënë në dukje se agresorët ishin nga Bregu Perëndimor.
Hamasi i përgëzoi dy palestinezët, të cilët i përshkroi si "luftëtarë të rezistencës", megjithatë pa marrë zyrtarisht përgjegjësinë, ndërsa Xhihadi Islamik gjithashtu e vlerësoi sulmin.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu , i cili ishte në vendin e ngjarjes së masakrës, tha se forcat izraelite po kërkojnë njerëz që u kanë ofruar mbështetje autorëve. Sipas policisë, dy sulmuesit mbërritën në vendngjarje me një makinë dhe hapën zjarr në stacionin e autobusëve Ramot Junction. Në vendngjarje u gjetën armë, municione dhe një thikë.
"Jemi në një betejë të ashpër kundër terrorizmit në disa fronte. Dua të shpreh ngushëllimet e mia familjeve të të vdekurve dhe të plagosurve. Ndjekja dhe rrethimi i fshatrave nga të cilët erdhën terroristët është duke vazhduar. Një nga personat që vrau terroristin ishte një ushtar ultra-ortodoks nga batalioni Hashmonaim. Këto vrasje, këto sulme, në të gjitha frontet, nuk na dobësojnë. Ato vetëm sa rrisin vendosmërinë tonë për të përfunduar misionet që kemi ndërmarrë, në Gaza, në Jude dhe Samari, kudo", tha Netanyahu në vendin e ngjarjes.
Sulmi i shtohet një vargu incidentesh vdekjeprurëse në vitet e fundit. Në tetor 2024, dy palestinezë - njëri i armatosur me armë dhe tjetri me thikë - vranë shtatë persona në Tel Aviv, ndërsa në nëntor 2023, dy persona të armatosur vranë tre persona në një stacion autobusi në Jerusalem, me shërbimet e sigurisë që ia atribuojnë sulmin Hamasit. (A2 Televizion)