“Dogji” gomat në autostradat çeke, pas 6 vitesh kapet shoferi i “Ferrari-t”

Nga A2 CNN
8 Shtator 2025, 13:55 | Bota
“Dogji” gomat në autostradat çeke, pas 6 vitesh kapet

Shoferi misterioz i një makine “fantazmë” të Formula 1, i cili pushtoi rrjetet sociale duke vozitur “Ferrarin” në autostradat e Çekisë, më në fund është kapur dhe arrestuar.

Makina e kuqe e garave është parë duke shëtitur përgjatë autostradave çeke disa herë që nga viti 2019. Ajo u rishfaq të dielën në mëngjes duke lëvizur përgjatë autostradës D4 para se të ndalonte për tu furnizuar me benzinë ​​pranë Dobříš.

Shoferët e tjerë njoftuan policinë, e cila më pas e gjurmoi automjetin deri në një pronë në fshatin Buk, rreth 37 milje në jugperëndim të Pragës.

Një burrë 51-vjeçar, i veshur me kostum garash dhe helmetë të kuqe u arrestua në shtëpinë e tij, sipas policisë. Media lokale ndau pamje ku ai shihet duke u grindur me oficerët dhe duke refuzuar të dilte nga makina e tij.

Ai i akuzoi ata për hyrje pa leje në pronë private para se të dorëzohej dhe të çohej në një stacion.

Shoferi i makinës, i cili u ndalua dhe u identifikua nga policia në automjet, refuzoi të komentonte mbi situatën gjatë marrjes në pyetje. Policia do të vazhdojë me procedurat administrative, në të cilat ai mund të përballet me një gjobë prej disa mijëra kronash dhe ndalim drejtimi”, njoftoi policia çeke në një postim në ‘X’.

Një burrë, i identifikuar si djali i tij, i tha medias lokale se rreth dy duzina makina policie dhe një helikopter sulmuan shtëpinë, duke e quajtur këtë një përgjigje ekstreme “ndaj një shkeljeje të supozuar të rregullave të qarkullimit nga ana jonë”.

Automjeti është përshkruar në internet si “një makinë Ferrari e Formula 1”, por në një artikull të vitit 2022 në auto.cz thuhet se në të vërtetë është një Dallara GP2/08, një makinë garash e ndërtuar nga prodhuesi italian Dallara. Makina ishte menduar për t’u përdorur në Serinë GP2.

Makinat e garave nuk janë të ligjshme në rrugë pasi u mungojnë targat, dritat e përparme, treguesit dhe pajisjet e sigurisë. Për këtë arsye, pronari i makinës mund të gjobitet dhe ndoshta edhe t’i pezullohet leja e drejtimit.

Shoferi çek bëri bujë për herë të parë në vitin 2019, kur imazhe dhe video të makinës u shfaqën në internet. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos