7 viktima në Spanjë nga ndërprerja e energjisë

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 07:26 | Bota

7 viktima në Spanjë nga ndërprerja e energjisë

Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim të plotë pas vdekjes së shtatë personave që besohet se lidhen me ndërprerjen masive të energjisë elektrike që goditi Spanjën dhe Portugalinë të hënën në mesditë.

Në Taboadela të Galicisë, tre anëtarë të së njëjtës familje, një çift të moshuar, 81 dhe 77 vjeç, dhe djalin e tyre 56-vjeçar, u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre. Hetimet paraprake tregojnë se ata kanë ndërruar jetë nga helmimi me monoksid karboni, pas përdorimit të një gjeneratori si burim alternativ energjie. Një prej viktimave vuante nga probleme të frymëmarrjes, çka mund të ketë përkeqësuar situatën.

Ndërkohë në Madrid, një zjarr i shkaktuar nga një qiri ndezur gjatë ndërprerjes solli vdekjen e një burri 52-vjeçar në lagjen Carabanchel. Zjarri përfshiu një bllok apartamentesh, duke shkaktuar gjithashtu plagosjen e 13 personave të tjerë nga thithja e tymit.

Tre vdekje të tjera u regjistruan në rajonin e Galicisë: një burrë 59-vjeçar në Ferrol, një 80-vjeçar në Betanzos dhe një 86-vjeçar në Dumbria. Edhe pse rrethanat e sakta nuk janë bërë të ditura, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e një lidhjeje me ndërprerjen e energjisë dhe pasojat e saj në shëndetin e këtyre individëve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos