A do të dërgojë Europa trupa në Ukrainë? Aleatët e Kievit mblidhen në Paris, mes dallimeve për garancitë e sigurisë

Nga Rosalba Bejdo
4 Shtator 2025, 16:13 | Bota

Rreth 30 udhëheqës perëndimorë po zhvillojnë bisedime me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski këtë të enjte, lidhur me garancitë e sigurisë për Kievin, në rastin e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Shpresa e tyre është të bindin Shtetet e Bashkuara të mbështesin përpjekjet.

Samiti i “koalicionit të vullnetarëve” në Paris bashkon liderë nga Europa, Australia, Japonia dhe Kanadaja, shkruan A2 CNN. Pjesëtarët e koalicionit, që nuk përfshin SHBA-në, kanë biseduar prej disa muajsh lidhur me perspektivën e një force paqeruajtëse ushtarake që do të garantonte sigurinë e Ukrainës pas luftës. Por përpjekjet kanë ngecur për shkak të vetëdijes se çdo rol ushtarak europian do të kishte nevojë për garancitë amerikane, dhe deri më tani presidenti Trump nuk ka bërë ndonjë zotim për t’i siguruar ato.

Edhe vetë aleatët europianë kanë pasur dallime lidhur me çështjen. Presidenti francez Emanuel Macron tha, në krah të Zelenskit të mërkurën në Paris, se liderët e koalicionit do të mbështesnin planet për garancitë e sigurisë të hartuara nga ushtritë e tyre.

“Ne jemi të gatshëm si europianë të ofrojmë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe popullin ukrainas, ditën që marrëveshja e paqes do të firmoset. Ky është një angazhim që e morëm përsipër në Uashington. Kontributet që u përgatitën, dokumentuan dhe konfirmuan këtë pasdite në nivel të ministrave të mbrojtjes, në mënyrë jashtëzakonisht konfidenciale. Më lejoni të them se puna përgatitore është e përfunduar”, tha Macron.

Edhe dy zyrtarë europianë thanë se planet teknike ishin finalizuar, por pa hyrë në detaje se çfarë nënkupton kjo. Ata shtuan se qëllimi do të jetë t’i dërgojnë një sinjal politik presidentit Donald Trump.

Kjo do të nxirrte në pah mungesën e progresit drejt bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes mes presidentit rus Vladimir Putin dhe Zelenskit, që kur Trump priti Putinin në muajin gusht, dhe do ta shtynte kreun e Shtëpisë së Bardhë të rriste presionin ndaj Moskës.

Putin i tha Kievit të mërkurën se ekzistonte mundësia për t’i dhënë fund luftës përmes negociatave, nëse do të mbizotëronte arsyeja. Ai shtoi se ky ishte një opsion i preferuar për të, edhe pse ishte i gatshëm t’i jepte fund luftës me forcë nëse kjo do të ishte mënyra e vetme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos