
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar Iranin, duke deklaruar se Tehrani do të tregohej “shumë i mençur” nëse bie dakord për një marrëveshje me SHBA-të, mes raportimeve se Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e veprimeve të reja ushtarake kundër Republikës Islamike, raporton A2CNN.
Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, tha në një konferencë për mediat se Trump ende shpresonte për një zgjidhje diplomatike mbi programin bërthamor të Teheranit.
Komentet e saj vijnë ndërsa SHBA-të po zhvendosin një luftanije të dytë në rajon dhe një ditë pasi u raportua përparim në bisedimet SHBA-Iran në Zvicër.
Mediat amerikane raportuan të mërkurën se Trump kishte diskutuar opsionet e sulmit me këshilltarët dhe se një sulm amerikan mund të zhvillohet që të shtunën. Verën e kaluar ushtria amerikane nisi sulme ndaj tre objekteve bërthamore iraniane.
Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar nëse do të sulmojë dhe bisedat e deritanishme janë konsideruar si të rrjedhshme, i thanë burime partnerit amerikan të BBC-së, CBS News.
Duke folur për mediat, Sekretarja e shtypit Leavitt u tha gazetarëve të mërkurën se kishte "shumë arsye dhe argumente që mund të paraqisnin për një sulm kundër Iranit".
Ajo iu referua sulmeve amerikane në qershor, duke shtuar: "Irani do të ishte shumë i mençur të bënte një marrëveshje me Presidentin Trump dhe me administratën e tij."
Edhe pse nuk duket se ka dalë ndonjë përparim nga bisedimet indirekte të së martës në Gjenevë, të dyja palët treguan se kishte pasur hapa në drejtimin e duhur.
Irani tha se ishte arritur një mirëkuptim me SHBA-Të mbi "parimet kryesore udhëzuese" që do të përcaktojnë përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen rreth programit bërthamor të Teheranit. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi shtoi se ende mbetet punë për t'u bërë.
(A2 Televizion)