
Autoritetet spanjolle kanë arrestuar dy shqiptarë në afërsi të portit të Vigos në Spanjë, si pjesë e një organizate kriminale. Ata u kapën me më shumë se 80 kilogramë kokainë që vinte nga Ekuadori, gjatë një operacioni të përbashkët të Guardia Civil dhe Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore të Agjencisë Tatimore spanjolle, shkruan A2 CNN.

Sipas autoriteteve spanjolle, droga ishte fshehur në një kontejner që kishte mbërritur nga Ekuadori. Ngarkesa u përzgjodh për kontroll nga Njësia e Analizës së Rrezikut në Doganën e Vigos dhe iu nënshtrua skanimit me rreze X, ku u konstatuan anomali në strukturën e sistemit të ftohjes së kontejnerit.

Gjatë operacionit, agjentët zbuluan 61 pako kokainë, si dhe materiale logjistike që dyshohet se do të përdoreshin për të nxjerrë drogën nga kontejneri, përfshirë çanta sportive, një shkallë të palosshme, mjete pune dhe telefona celularë. Një kontroll i dytë me pajisje radiologjike portative zbuloi edhe nëntë pako të tjera të fshehura në sistemin e ftohjes, duke e çuar sasinë totale mbi 80 kilogramë, raporton A2 CNN.

Autoritetet spanjolle theksojnë se ky është sekuestrimi i dytë i madh i kokainës në portin e Vigos këtë vit, duke nënvizuar vigjilencën e shtuar ndaj rrjeteve transnacionale të trafikut të drogës.
Mediat spanjolle raportojnë se arrestimi i dy shtetasve shqiptarë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, nxjerr në pah praninë e organizatave ballkanike në logjistikën e trafikimit të drogës në Galicia. (A2 Televizion)