
Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, planifikon të largohet nga posti i saj para përfundimit të mandatit, përpara zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit të ardhshëm, në mënyrë që presidenti francez në largim, Emmanuel Macron, të ketë ndikim në zgjedhjen e pasuesit të saj, raportoi të mërkurën Financial Times.
Mandati i Lagarde në krye të institucionit më të rëndësishëm financiar të Evropës pritet të përfundojë në tetor 2027, por një fitore e së djathtës ekstreme euroskeptike në zgjedhjet presidenciale të pranverës 2027 mund ta komplikojë përzgjedhjen e presidentit të ardhshëm të BQE.
Si ekonomia e dytë më e madhe e BE-së, Franca tradicionalisht ka një rol të rëndësishëm në këtë përzgjedhje dhe asnjë president i Bankës Qendrore nuk është emëruar pa miratimin e Parisit.
Shqetësimet për pavarësinë e bankave qendrore janë rritur pasi presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një fushatë kundër kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell, duke kërkuar që FED të ulë ndjeshëm normat e interesit.
(A2 Televizion)