NATO dhe Ukraina do të mbajnë bisedime urgjente nesër më 26 nëntor, pasi Rusia sulmoi me një raketë balistike eksperimentale hipersonike qytetin Dnipro, duke përshkallëzuar më tej luftën gati 33-mujore.
Një ditë para këtij takimi CNN turk analizon përmes ekspertëve të sigurisë situatën, ndërsa tensioni në luftën Rusi-Ukrainë rritet. Pyetja që ngrihet është: A ka filluar lufta SHBA-Evropë-Rusi?
Duke komentuar deklaratat e kreut të Këshillit të Sigurimit rus, Dimitry Medvedev i cili tha: "Ne jemi drejtpërdrejt në luftë me NATO-n. Ne mund të përdorim armë bërthamore", eksperti i Sigurisë dhe Terrorizmit në Turqi Coşkun Başbuğ në një deklaratë për CNN Turk u shpreh: “Unë jam kundër këtij termi, ne jemi në luftë me NATO-n. Për shembull, Turqia është një vend i NATO-s, por nuk është në luftë me Rusinë. Shumë vende nga 32 janë të tilla. Është botuar një doktrinë e re e Rusisë, objektiva të reja, vende të reja armike, është përfshirë vetëm rajoni i Balltikut, por në këtë fushë janë përfshirë edhe Rumania, Polonia, Gjermania, Anglia dhe Franca”, tha ai.
Eksperti thekson se “në një luftë apokaliptike, Rusia është një vend që ka zhvilluar më shumë teknologji në këtë drejtim sesa Perëndimi, por ne jemi vërtet të shqetësuar nëse do të arrijë në atë masë”.
Ndërsa Gjermania po përgatit trupa për të dërguar në Ukrainë, profesori i Fakultetit të Universitetit Gaziantep në Turqi, Ali Fuat Gökçe u shpreh për CNN turk se Turqia nuk do të marrë pjesë, pasi ndjek një politikë ekuilibri. Ai sjell në vëmendje deklaratën e liderit të Kremlinit se Ukraina në NATO është vija e kuqe, deklaratë që sipas tij nuk iu kushtua vëmendje nga liderët perëndimorë.
“Turqia është një vend i NATO-s. Gjermania po përgatit një forcë prej 800 mijë vetësh, do të marrë pjesë në Ukrainë, por Turqia nuk do të marrë pjesë në të. Sepse është i vetmi vend në rajon që ndjek një politikë ekuilibri. Putin tha të njëjtën gjë në nëntor 2021. "Ai tha: "Mos u përpiqni ta futni Ukrainën në NATO, ajo është vija jonë e kuqe", dhe udhëheqësit perëndimorë nuk i kushtuan shumë vëmendje kësaj dhe filluan këtë luftë," tha ai.
Më tej ai shton: "Vendi që do t'i përgjigjet armës taktike bërthamore që Putini do të përdorë në Ukrainë, nuk do të dëshirojë të kërcënojë territorin e vet." (A2 Televizion)