Administrata Trump ka bllokuar regjistrimin e studentëve të huaj në Universitetin e Harvardit, duke synuar një burim të rëndësishëm financimi për kolegjin më të vjetër dhe më të pasur të vendit. Kjo është raportuar nga gazeta New York Times, sipas të cilës ky është një përshkallëzim domethënës në ngërçin midis Shtëpisë së Bardhë dhe universitetit, i cili deri më tani ka refuzuar të përmbushë kërkesat e administratës në lidhje me kurrikulën e tij akademike, politikat e pranimeve dhe punësimin e fakultetit, shkruan A2 CNN.
Administrata njoftoi Harvardin për vendimin pas një debati të gjatë ditëve të fundit mbi ligjshmërinë e një kërkese për dokumente si pjesë e hetimit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
“Po ju shkruaj për t'ju informuar se, duke filluar menjëherë, Programi i Studentëve dhe Vizitorëve të Shkëmbimit i Universitetit të Harvardit po revokohet”, thuhet në një letër dërguar universitetit nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem. Një kopje e letrës u sigurua nga The New York Times,.
Sipas të dhënave të regjistrimit në universitet, afërsisht 6,800 studentë ndërkombëtarë ndoqën Harvardin këtë vit, ose rreth 27 përqind e trupit studentor. Në vitin 2010 ato përfaqësonin afërsisht 19.7%. Tarifa vjetore e shkollimit është 59,320 dollarë dhe mund të shkojë deri në pothuajse 87,000 dollarë, përfshirë strehimin dhe ushqimin, përcjell A2 CNN.
Ndërkohë, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, paralajmëroi se ndalimi i Donald Trump për regjistrimin e studentëve të huaj në Harvard mund të shtrihet edhe në kolegje të tjera në SHBA.
"Ky është një paralajmërim për të gjitha universitetet", tha ajo në një intervistë për Fox News. “Udhëheqja e Harvardit ka krijuar një mjedis të pasigurt në kampus duke lejuar agjitatorët antiamerikanë dhe pro-terroristë të ngacmojnë dhe sulmojnë fizikisht individë, përfshirë shumë studentë hebrenj”, tha departamenti i Noem.
(A2 Televizion)