Një avion i linjës ajrore “United Airlines” u detyrua të bëjë një ulje emergjente pasi një lepur u fut në një prej motorëve të tij, duke shkaktuar zjarr menjëherë pas ngritjes nga pista.
Ngjarja ndodhi kur avioni i fluturimit UA 2325 u ngrit nga Aeroporti i Denverit me destinacion Edmontonin, Kanada. Pamjet treguan momentin kur nga motori shpërtheu zjarri menjëherë pas ngritjes.
Pasagjerët përjetuan panik, ndërsa dëgjuan një “shpërthim të fortë” dhe ndjenë “dridhje të forta”. Sipas një pasagjeri, Scott Wolff, “kishte shpërthime të vazhdueshme nga motori, ndërsa nisi edhe zjarri. Njerëzit filluan të trembeshin.”
Megjithatë, avioni Boeing 737-800 arriti të bënte ulje emergjente në mënyrë të sigurt në pistë vetëm pak minuta pas ngritjes, shkruan A2 CNN.
Pasi u ul, pilotët kërkuan një inspektim për zjarr në motor, dhe më pas u informuan se një lepur ishte përthithur nga motori i dytë. “Një lepur në motorin numër dy... kjo e shpjegon,” u dëgjua të thotë piloti në komunikimet audio.
Të 153 pasagjerët dhe gjashtë anëtarët e ekuipazhit u transportuan për në Edmonton me një avion tjetër.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur një hetim mbi incidentin. Sipas saj, goditjet nga kafshë janë të zakonshme, me mbi 20,000 raste të raportuara vetëm vitin e kaluar në SHBA, por përplasjet me lepujt janë shumë të rralla – vetëm katër janë regjistruar në të gjithë vendin, përfshirë një në Denver.
(A2 Televizion)