Alarmi i Medvedev: Rreziku i një lufte botërore është shumë i lartë

Nga Erjon Dervishi
2 Shkurt 2026, 11:41 | Bota

Situata globale mund të dalë jashtë kontrollit dhe rreziku i luftës botërore është shumë i lartë. Kështu ka bërë me dije Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev, gjatë një interviste për mediat ruse.

“Është e vërtetë, kohët e fundit kemi rifilluar kontaktin me Shtetet e Bashkuara dhe kjo vetëm sa na bën të lumtur. Dhe po zhvillojmë konsultime mbi një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Por situata e përgjithshme është shumë e rrezikshme. Fatkeqësisht, një konflikt global nuk mund të përjashtohet dhe mendoj se rreziqet janë shumë të larta dhe nuk janë zvogëluar”, tha Medvedev.

Ai e vlerësoi Presidentin e SHBA-së Donald Trump si një udhëheqës efektiv që kërkonte paqe, por shtoi se Moska nuk kishte parë asnjë gjurmë të nëndetëseve bërthamore që Trump tha se i kishte zhvendosur në brigjet ruse, shkruan A2 CNN.

“Donald Trump është një njeri që po prezanton metoda krejtësisht të reja qeverisjeje. Vini re se ai është presidenti i parë i SHBA-së që qeveris përmes mediave sociale, përmes Truth Social dhe X, dhe nuk e di se çfarë tjetër përdor. Ai donte të dërgonte disa anije diku, por ne nuk i gjetëm kurrë. Megjithatë, unë po flas për diçka tjetër tani. Po flas për faktin se, në thelb, ky është një simbol i kulturës së menaxhimit të shekullit të 21-të, kur kreu i vendit më të fortë, ekonomisë më të madhe, një fuqie bërthamore, përdor mediat sociale për të lëshuar urdhra administrativë”, shtoi ai.

Njeriu hije i Putin tha se Rusia do të fitojë “së shpejti” një fitore ushtarake në luftën e Ukrainës, por gjëja kryesore ishte parandalimi i çdo konflikti të mëtejshëm. “Është absolutisht e qartë se fakti i një fitoreje ushtarake është shumë i rëndësishëm dhe fitorja mund të shihet tashmë në një numër treguesish. Ju e dini mirë këtë, pasi keni ardhur nga vija e parë, e ndjeni vetë. Por nuk është më pak e rëndësishme të mendoni për atë që vjen më pas. Në fund të fundit, qëllimi i fitores është parandalimi i konflikteve të reja, është e qartë. Objektivat e operacionit special ushtarak u përcaktuan që në fillim nga Presidenti Vladimir Putin. Ato kanë mbetur kryesisht të pandryshuara që atëherë, ka disa nuanca, por në përgjithësi janë të njëjta. Kështu që do të doja që kjo të ndodhte sa më shpejt të jetë e mundur”.

Sakaq, bëhet e ditur se 15 persona u vranë dhe shtatë u plagosën pasi një dron rus goditi një autobus që transportonte minatorë në rajonin juglindor në Ukrainë. Policia tha se sulmi ndodhi në qytetin e Terenivkës. Pamjet e postuara nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave treguan një autobus të djegur me dritare të thyera që kishte dalë nga rruga. Sulmi erdhi disa orë pasi Presidenti Volodymyr Zelenskiy njoftoi se një raund i dytë bisedimesh trepalëshe të ndërmjetësuara nga SHBA-të midis Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohej javën e ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos